Kontrata e punës është dokumenti i parë që nënshkruhet nga punëdhënësi dhe i punësuari dhe me të njejtën sigurohet edhe mbrojtja ligjore për të dyja palët. Me nënshkrimin e kontratës krijohet edhe marrëdhënia e punës. Qëllimi i kontratës së punës është që të sigurohet që si punëdhënësi ashtu edhe i punësuari të kenë të qartë se çfarë pritet nga të dyja palët gjatë periudhës së marrëdhënies së punës.
Kjo tutje reflektohet edhe me vet definicionin e Kontratës së Punës në Ligjin e Punës “akti individual e cila lidhet ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit, me të cilën rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës”.
Sapo të nënshkruhet kontrata e punës, i punësuari ka të drejtë të regjistrohet në:
- Administratën Tatimore të Kosovës
- Trustin Pensional të Kosovës
Disa çështje që duhet të merren parasysh gjatë lidhjes së kontratës së punës:
- Kohëzgjatja e kontratës: a është kontratë me kohë të caktuar/pacaktuar apo për punë dhe detyra specifike
- Orari i punës: a është orari i plotë, jo i plotë apo mund të jetë edhe punë e natës.
- Pushimet: a janë të rregulluara e drejta në pushim ditor/javor/vjetor dhe pushimet e tjera të përcaktuara me ligj.
- Ndërprerja e marrëdhënies së punë: a ekzistojnë dispozitat që e rregullojnë këtë çështje?
Është e rëndësishme të kemi parasysh që kontrata nënshkruhet nga të dyja palët dhe nuk mund të ndryshohet dhe/apo plotësohet pa pëlqim nga të dyja palët.
Sa i përket kohëzgjatjes së kontratës, kontrata mund të lidhet për:
- një periudhë të pacaktuar;
- një periudhë të caktuar;
- Kontrata për periudhë të caktuar nuk mund të lidhet për një periudhë më të gjatë se dhjetë (10) vite. Nëse ripërtërihet në mënyrë të qartë ose të vetëkuptueshme për një periudhë të punësimit më të gjatë se dhjetë (10) vite, konsiderohet si kontratë për një periudhë të pacaktuar kohore.
- për punë dhe detyra specifike
- Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti; nuk iu takon e drejta në pushim vjetor.
Elementet kryesore që duhet të përmbajë kontrata e punës janë:
- të dhënat për punëdhënësin (emërtimi, selia dhe numrin e regjistrimit të biznesit);
- të dhënat për të punësuarin (emri, mbiemri, kualifikimi dhe vendbanimi);
- emërtimin, natyrën, llojin e punës, llojin shërbimeve dhe përshkrimin e detyrave të punës;
- vendin e punës dhe njoftimin që puna do të kryhet në lokacione të ndryshme;
- orët dhe orarin e punës;
- datën e fillimit të punës;
- kohëzgjatjen e Kontratës së Punës;
- lartësinë e pagës bazë, si dhe ndonjë shtesë ose të ardhur tjetër,
- kohëzgjatjen e pushimeve;
- përfundimin e marrëdhënies së Punës;
- të dhëna të tjera për të cilat punëdhënësi dhe punëmarrësi i vlerësojnë të rëndësishme për rregullimin e marrëdhënies së punës;
- kontrata e Punës mund të përmbajë të drejta dhe detyra të tjera të parashikuara me këtë ligj;
- të drejtat dhe detyrimet të cilat nuk janë të përcaktuara me Kontratën e Punës, rregullohen me dispozitat e këtij ligji, Kontratën Kolektive dhe Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit.